Saturday, January 3, 2009

Blerta Na Harroj Gërshetat

Nëna dhe babai,
Na e pyesin: "Blertë,
Ç'farë vizatove,
Përmbi atë fletë?"

"Vizatova veten,
A nuk e shikoni?
Ju jeni të rritur,
Si nuk e kuptoni?"

"Po ç'ke ngatërruar,
Bletë edhe qershi,
Flutur e kalem,
Mollë dhe kuti?
"

"Jo asgjë, asgjë,
Nuk kam ngatërruar,
Në fletore veten,
Unë kam vizatuar!"

Po habitet nëna,

Babai bën cudi,
"Ti nuk je kalem,
ti nuk je kuti!

Mollë edhe qershi
Ti nuk je, moj Blertë,

Pastaj, këtu c'duan,
Një flutur e një bletë?"

"Jua thote gjyshja
Pritni kur të vijë!"
"Kur s'e dimë ne,
Gjyshja s'mund ta dijë!
"

"Jo e di, e di!

Gjyshe moj, vrapo,
Se ç'kam vizatuar,

Eja na trego."

Ja ku erdhi gjyshja,
Vizatimin pa,
"Kjo këtu është Blerta!"
Prindërve u tha.

"Se, kur afron mbrëmja,
Edhe do të flerë,
I kendoj një këngë,

Që gjumi ta zerë.

Gjumi mbi qepalla,
Vete edhe vjen,
Unë, një këngë, mbesës,
Nis edhe i them.

'I ke faqet mollë,

Sytë si qershi,
Hundën si kalem,
Gojën si kuti.'

Pa, i them 'Je bletë'
Pa i them 'Je flutur',
Se është punëtore,

Sepse është e bukur.


Pra në vizatim,

Është vetë Blerta,

Veç se ka harruar,
Të bëjë gërshetat!"

No comments:

Post a Comment